Sekuestrimi i 31 pronave , Krimi Ekonomik bllokon karburantin e Habilajve në Vlorë

3 Tetor 2018, 11:31 | Përditesimi i fundit: 2018-10-03 14:27:33

VLORE - Pak ditë pas sekuestrimit të 31 pasurive me vlerë miliona euro në pronësi të Habilajve, këtë të mërkurë Krimi Ekonomik ka bllokuar një pikë karburanti në afërsi të spitalit rajonal në Vlorë. Biznesi është i regjistruar në emër të Artan Habilajt, vëllai i Moisi Habilajt, ky i fundit i arrestuar në Itali si kreu i një grupi të fuqishëm kriminal të trafikut të drogës nga Shqipëria në Itali. Artan Habilaj vijon të jetë në kërkim nga autoritetet shqiptare si pjesë e bandës së trafikut të kanabisit.

Report Tv ka siguruar edhe pamje nga karburanti i sekuestruar nga Krimi Ekonomik. Biznesi është rrethuar me shirita dhe puna në të është bllokuar prej mëngjesit të sotëm. pronat e Habilajve u sekuestruan për llogari të hetimeve të drejtësisë shqiptare dhe asaj italiane, pasi dyshohet se janë përfituar nga burime financimi të paligjshme, kryesisht nga veprimtari kriminale të trafikut ndërkombëtar të drogës. Me 21 shtator, Prokuroria për Krime të Rënda njoftoi sekuestrimin e disa milionë euro pasuri të vëllezërve Habilaj. Sekuestroja u vendos në kuadër të ligjit “Antimafia” dhe të gjitha këto pasuri janë të regjistruara në qytetin e Vlorës. Pronat janë sekuestruar me urdhër të prokurorëve; Vladimir Mara, Besim Hajdarmataj, Arenc Cela, Gentian Osmani dhe Dritan Prenci.