Sekuestrohet heroinë dhe kokainë në Fier, tre të arrestuar, një në kërkim

23 Maj 2019, 08:55 | Përditesimi i fundit: 2019-05-23 15:35:19

Finalizohet operacioni policor antidrogë i koduar "Shënjestra".

Operacioni për goditjen e shpërndarjes së lëndëve narkotike të forta

Në pranga 3 shtetas, si dhe shpallet në kërkim një tjetër, si bashkëpunëtor në këtë veprimtari kriminale

Sekuestrohen rreth 1,4 Kg Heroinë dhe 1 Kg Kokainë.

Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme të veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, pas një hetimi disa mujor të ndjekur me metoda speciale të hetimit, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, u finalizua me sukses operacioni policor antidrogë i koduar “Shënjestra”.

Gjatë operacionit u godit një grup i cili ushtronte aktivitetin kriminal të përpunimit dhe shitjes së  lëndëve të forta narkotike Heroinë dhe Kokainë në qytetin e Fierit dhe në qytete të tjera.

Si rezultat i operacionit, në banesat e këtyre shtetasve u gjet dhe u sekuestrua rreth 1,4 Kg lëndë narkotike e dyshuar Heroinë dhe rreth 1 Kg lëndë narkotike e dyshuar Kokainë. Një pjesë e Heroinës ishte e ndarë në doza të vogla gati për shitje.