Senati amerikan miraton paketën stimuluese prej 1.9 trilion dollarësh

7 Mars 2021, 14:07

Senati amerikan miratoi të shtunën planin e Presidentit Joe Biden prej 1.9 trilionë dollarësh për ndihmën për koronavirusin, pas një seance që zgjati që nga nata e kaluar.

Plani përfundimtar përfshin 400 miliardë dollarë në formë pagesash prej 1,400 dollarësh për shumicën e amerikanëve, nga 300 dollarë në javë për 9,5 milion njerëz që kanë humbur punën dhe 350 miliard dollarë ndihma për shtetet dhe qeveritë lokale që kanë mbetur me mangësi në buxhetet e tyre për shkak të pandemisë.

Presidenti Joe Biden tha të shtunën se miratimi nga Senati i projektligjit nënkupton se pagesat 1,400 dollarëshe për shumicën e familjeve amerikane do të fillojnë këtë muaj dhe dispozitat e projekt-ligjit do të përshpejtojnë prodhimin dhe shpërndarjen e vaksinave.

Zoti Biden, duke komentuar në Shtëpinë e Bardhë, tha se pagesa do të marrin mbi 85% e familjeve amerikane; një çifti me dy fëmijë që kanë deri në 100,000 dollarë të ardhura në vit i takon të marrë rreth 5,600 dollarë.

Senati e miratoi projektligjin me 50 vota pro dhe 49 kundër, në linja thjesht partiake. Një senator republikan nuk ishte i pranishëm. Asnjë republikan nuk votoi pro për këtë paketë stimuluese, ndër më të mëdhatë në historinë e vendit.

Beteja ende nuk ka mbaruar, pasi projektligji duhet të kthehet të martën në Dhomën e Përfaqësuesve, e cila miratoi një version pak më të ndryshëm një javë më parë. Projektligji duhet të kalojë nëpër një proces rakordimi mes Dhomës dhe Senatit.