Sevilla-Inter finalja e Europa League, zikaltërit 'shuplakë' Shakhtar-it

18 Gusht 2020, 10:25

Do të jetë Sevilla-Inter finalja e madhe e Europa League. Italianët i dhanë një "shuplakë" ukrainasve të Shakhtar Donetsk duke i mundur 5-0 në gjysmëfinale dhe kapin finalen e së premtes. Shkëlqeu dyshja e sulmit Lautaro Martinez-Lukaku që shënuan nga dy gola secili ndersa në mes u fut edhe D'Ambrosio që realizoi golin e dytë të takimit.

Lautaro zhbllokoi ndeshjen në minutën e 19-të dhe shënoi më pas edhe golin e tretë të takimit ndërsa belgu Lukaku shtoi dy golat e fundit dhe mbylli llogaritë.Ekipi i drejtuar nga Conte shprehu gjithë potencialin e tij ndërsa ukrainasit u treguan të pafuqishëm.Interi rikthehet pas 10 vitesh në një finale të madhe të futbollit europian dhe do të "luftojë" me spanjollët e Sevilla për trofeun. Finalja e Europa League mes Sevillas dhe Interit do luhet më 21 gusht në stadiumin e Këlnit në Gjermani..