Sezoni i shkëlqyer i Uzunit, futbollisti shpallet 'Njeriu i Vitit' në Berat

22 Dhjetor 2018, 16:02

Myrto Uzuni, 23-vjeçari që këtë vit bëri një hap të madh në karrierë, është vlerësuar nga Bashkia Berat si “Njeriu i Vitit 2018” me motivacionin “si një figurë e re plot shpresë dhe të ardhme në fushën e futbollit shqiptar, për rezultate mbresëlënëse gjatë vitit 2018 në kampionatin e futbollit kroat si dhe atë kombëtar” . Në ceremoninë e organizuar nga bashkia, futbollisti u nderua me këtë titull së bashku me dy personazhe të tjera.

Çmimi i Uzunit ia dorëzoi Drejtori i Drejtorisë së Policisë së qarkut Berat, Artion Duka, i cili në këmbim mori një bluzë të Lokomotivës nga futbollisti. Vetë Uzuni ishte i emocionuar për këtë çmim, për të cilin tha: “Ndjehem I privilegjuar që ndodhem këtu, pasi ky vlerësim për mua do të thotë shumë. Do vazhdoj të punoj dhe të luftoj për pasionin tim.”