Sezoni musoneve, përmbytje dhe rrëshqitje toke, të paktën 88 të vdekur në Nepal e Indi

15 Korrik 2019, 11:36

Sezoni i musonëve ka mbërritur në Azinë juglindore dhe si çdo vit ka sjellë përmbytje por dhe viktima, veçanërisht në zonat rurale.

Kina, Bangladeshi, India dhe Nepali kanë qënë të parat vende që kanë vuajtur pasojat e musonëve.

Në Nepal për momentin bilanci është më tragjik. Rreshjet dhe përmbytjet, që nga dita e enjte, kanë goditur juglindjen e vendit dhe kanë shkaktuar mbytjen e 50 personave. Si pasojë e shirrave muson, autoritetet kanë deklaruar dhe 33 persona të humbur.

Në veri-lindje të Indisë, në rajonin e Assam, musonet kanë vrarë 11 njerëz dhe dhjetëra mijëra të tjerë janë zhvendosur nga banesat e tyre.

Të vdekur janë regjistruar edhe në Bangladesh, ku 11 vetë u vranë nga rrufeja, kurse të tjerë, rreth një duzinë, vdiqën nga përmbytjet që goditën kampin më të madh refugjatësh në kufirin me Mianmarin.

Sezoni i musoneve do të zgjasë deri në shtator. Vitin e kaluar, rajoni më i prekur ishte rajoni indian i Kerala me 1200 të vdekur.

Sezoni muson i vitit 2019 konsiderohet më brutali i 100 viteve të fundit.