Shahini në Report Tv: Si do të bëhet vlerësimi i maturantëve...Përjashtohen leksionet e 'karantinës'

13 Prill 2020, 13:00

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini tha se maturantët nuk duhet të shqetësohen për provimet e maturës, të cilat i hapin dyert më tej për të shkuar në universitet. Në intervistën e saj për Report Tv ajo sqaroi se nëse nuk do të krijohet mundësia (në varësi të situatës me pandeminë), që ata të shkojnë të paktën për dy javë fizikisht në shkollë, leksionet e marra online në shtëpi, nuk do të përfshihen në testimin e fundit. Pra, mësimi që është marrë gjatë kohës së karantinës, nuk do të jetë pjesë e pyetjeve për testin e maturës.

"Maturantët nuk kanë nevojë të shqetësohen. Leksionet në kushte shtëpie, nëse nuk do t'i përsërisim në shkollë nuk do të jenë në pyetje të provimit të maturës. Për testin e maturës thjesht nuk do të ketë pyetje në leksionet që do ishin zhvilluar në mars, prill, maj, nëse nuk kthehemi në shkollë t'i zhvillojmë aty. Testet do bëhen me ekspertë dhe ata nuk e shohin problem të heqin pyetjet nga leksionet që janë mbajtur gjatë kësaj periudhe", tha Shahini.