Shahini nxjerr rezultatet e 'PISA'-s: Diferenca mes nxënësve në qytet e fshat dhe rënie në shkencë

16 Janar 2020, 20:55

Rezultatet e Pisa 2018 u diskutuan pasditen e sotme në një takim që u organizua nga Ministria e Arsimit dhe QSHA. Testi i PISA është një program vlerësimi ndërkombëtar  për njohurit  e nxënësve 15-vjeçarë në  matematikë, shkencë dhe lexim që administrohet cdo tre vjet. Gjatë këtij diskutimi specialist i QSHA, Erind Çela  paraqiti disa prej gjetjeve kryesore të këtij testimi ku morën pjesë të rinjtë shqiptarë.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja e Arsimi, Besa Shahini shprehu dy prej shqetësimeve që u evidentuan nga rezultatet e këtij testi. “Kemi disa lajme të mira. Ndër vite Shqipëria njihet si një nga vendet që ka bërë përmirësimin më të shpejtë nga të gjitha vendet e tjera. Pra nuk jemi aty ku duam, por kapërcimet që po bëjmë çdo tre vjet janë të vlefshme për tu cekur.

Nga viti 2015  në vitin 2018 kemi bërë përmirësimin më të shpejtë  në lëndën e matematikës. Në vitin 2017 kur iu bashkëngjita ekipit të MASR, ishin 33 mijë nxënës që mësonin në klasa kolektive. Kemi arritur me shumë vështirësi ta zbresim këtë numër në 23 mijë duke i kaluar pjesën kryesore në shkolla të mëdha ku mësojnë me bashkëmoshatarët, në klasa më të mëdha dhe mësues të specializuar.

Por prapë kemi një numër të madh që mëson në klasa kolektive dhe përpjekja jonë që nuk do të ndalet, duhet të shoqërohet edhe me përpjekjen e të gjitha instancave të tjera, edhe të strukturave vendore edhe partnerëve zhvillimorë që ta zvogëlojmë sa më shumë numrin e nxënësve që janë të detyruar të mësojnë në klasa kolektive" tha Shahini. Brenda 6 mujorit të parë të 2020 do të ketë një analizë më të thellë të rezultateve të Pisa 2018 për të rinjtë shqiptarë, ndërkohë që kanë filluar përgatitjet për Pisa 2021.