Shahini: Shkollat të gjitha mbyllur për 2 javë! Nga nesër do të hapen klasa virtuale

9 Mars 2020, 13:54

TIRANË - Në kushtet kur ndërprerjet që prej tërmetit të 26 nëntorit, dhe së fundi tani nga koronavirusi, nxënësit shqiptarë kanë humbur shumë orë mësimore, Ministria e Arsimit ka marrë vendimin që të ngrihen klasa virtuale. 

Kjo do të thotë, se secili mësues do të krijojë në rrjetet sociale, përmes Ëhatsappit etj, grupe me prindërit e nxënësve të klasës, për të shpërndarë virtualisht detyrat dhe udhëzimet në mënyrë që fëmijët të mos humbin orët mësimore. Në një konferencë për mediat, ministrja Besa Shahini tha se ka gjasa që humbja e orëve të mësimit nga tërmeti dhe tashmë 2 javë në vazhdim nga koronavirusi, nuk do të arrihet të zëvendësohen të gjitha. 

Jemi duke bërë një plan të rrinë në kontakt me prindërit, t'u japin instruksione fëmijëve dhe t'i bëjnë detyrat në kushte shtëpie. Të komunikojnë në ëhatsapp, t'i orientojnë fëmijët të punojnë nga shtëpia, me video të shkurtra në grup. Do të jenë klasa të vogla virtuale në telefona" sqaroi ministrja.

Ndërkohë, Besa Shahini tha se mësuesit do të vazhdojnë të punojnë nga shtëpia ose nga shkolla, për të marrë të gjitha masat dhe udhëzimet për nisjen nga puna me klasat virtuale në rrjetet sociale.

"I kemi orientuar të gjithë drejtuesit e shkollave që ditën e sotme ta mbyllim me qetësi, të orientojnë fëmijët për detyrat në dy javët e ardhshme", tha ministrja. Ajo shtoi se do të shikohet mundësia se si do të mund të ndihmohen prindërit që do të duhet të rrinë në shtëpi dhe të lënë punët për t'u kujdesur për fëmijët. 

Qeveria mori vendim sot q shkollat të mbyllen për 2 javë deri më 23 mars, kohë gjatë të cilës do të bëhet edhe dezinfektimi i ambienteve shkollore. Në varësi të situatës do të merret vendim nëse shkollat do të rihapen më 23 mars, ose nëse do të ketë një afat tjetër për pezullimin e tyre. 

Arsyeja e mbylljes të të gjtiha institucioneve të arsimit parashkollor, të mesëm e të lartë, si në publik dhe në privat, është frenimi i përhapjes së virusit. Është një masë frenuese, tha Shahini dhe nuk ka vend për panik.