Shahini: Vlerësimi i mësimit në kushte shtëpie është orientues, jo nota finale'

9 Prill 2020, 09:12

Ministrja e Arsimit Besa Shahini përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale ka bërë edhe njëherë me dije se vijon mësimi on-line për nxënësit me qëllim që ata të mos mbeten mbrapa për shkak të krizës shëndetësore nga koronavirusi. Shahini ka ritheksuar se mësimi vijon në dy mënyra, përmes transmetimeve në RTSH, por edhe komunikimit on-line apo në rrjete sociale përmes mësuesve dhe nxënësve. Pavarësisht se kjo nuk është metoda ideale e mësimdhënies dhe mësimnxënies, Ministrja e Arsimit është shprehur se këto metoda janë të aksesueshme nga thuajse të gjithë mësuesit e nxënësit me qëllim që këta të fundit të mos mbeten mbrapa.

Megjithatë ekziston një pjesë e vogël e nxënësve , “të cilët nuk kanë patur asnjë komunikim me mësuesit e tyre dhe për të cilët nuk e dimë nëse i kanë përcjell leksionet në RTSH. Ky numër është i vogël dhe kemi listën emërore të këtyre nxënësve për secilën shkollë, në mënyrë që kur t’i kthehemi mësimit normalisht, t’iu kushtojmë një vëmendje më të shtuar atyre dhe ti ndihmojmë të kapin hapin e nxënësve të tjerë të cilët kanë marrë mësim në kushte shtëpie”- ka thënë ministrja.