Shameti në Report Tv: Më vjen keq që i zhgënjyem ata që donin të bënim luftë me Metën! Jam kundër thirrjes së kreut të SHISH

12 Shtator 2019, 20:39

TIRANË- Deputeti Socialist Adnor Shametaj, njëherazi anëtar i Komisionit Hetimor për kreun e Shtetit tha në studion e Report Tv, se ashtu siç është shprehur më parë kreu i qeverisë Edi Rama, PS ka dorën e shtrirë për opozitën jo parlamentare për të diskutuar mbi Reformën Zgjedhore.

"Dua të sqaroj ecurinë e Komisionit të Reformës Zgjedhore. Para se opozita të digjte mandatin ka pasur një bashkëpunim mes palëve. Me djegien e mandateve ai komision ra dhe me caktimin e anëtarëve të ri është riformatuar edhe ky komision. Sot është bërë edhe një shtesë. Jam shtuar edhe unë nga mazhoranca dhe Alimadhi nga opozita. E reja në këtë komision të fundit është  se përveç përfaqësuesve në Kuvend, të ketë një hapësirë edhe për përfaqësuesit e opozitës që  dogji mandatet.  Përfaqësuesit e PS janë të hapur për diskutuar çdo gjë për Reformën Zgjedhore për të dhënë kontributin e tyre të gjithë përfaqësuesit e forcave të tjera politike", tha Shameti.

Shameti komentoi nismën e 9 deputetëve të cilët kanë kërkuar që kreu i SHISH të flasë në komisionin e Sigurisë për deklaratën e Metës se kishte informacion sekret se më 8 qershor do të digjej Kuvendi. Shameti tha se nuk e mbështet këtë nismë për shkak se kjo është një punë paralele me komisionin hetimor për Metën i cili ka për qëllim pikërisht hetimin e kësaj çështjeje.

"Të gjithë komentet e deputetëve gjejnë vend për t'u diskutuar. Pas komisionit ku Meta tha se do digjej Kuvendi, kam kundërshtuar që të thirrej kreu i SHISH në komisionin e sigurisë duke thënë se kjo është një punë paralele me komisionin hetimor për Metën i cili ka për qëllim pikërisht hetimin e kësaj çështjeje. Nuk po anashkalohet ajo që ka thënë Meta por po i lihet komisionit hetimor, analiza e kësaj çështjeje. Në dijeninë time presidenti e ka deleguar këtë informacion. Do të shikojmë në ditët në vijim dhe do të kryejmë të gjitha veprimet e duhura në komisionin hetimor dhe do të dalë e vërteta për të gjithë këto elementë. Do të analizohen me përgjegjshmëria dëshmia e presidentit të Republikës. Në përfundim komisioni do të shqyrtojë këto prova si materialin e Venecias, në kompleksitet me të gjitha provat e tjera" u shpreh Shameti.

Duke komentuar sjelljen e Metës dhe anëtarëve të Komisionit Hetimor në përballjen e dy ditëve më parë, Shametaj tha se seanca ishte model.

"Unë dua t'iu siguroj që seanca dëgjimore me presidentin e Republikës ka qenë model. Më vjen keq që i kemi zhgënjyer të gjithë ata që prisnin që aty të kishte luftë. Sa i takon qëndrimeve të presidentit, ai ka qenë i thirrur si dëshmitar dhe nuk mund t'i impononim asnjë qëndrim", tha ndër të tjera Shameti.

    No videos found.