Shashka dhe gurë nga selia e PD-së drejt Parlamentit, policia hedh ujë

13 Mars 2019, 11:12 | Përditesimi i fundit: 2019-03-13 17:35:56

Opozita nuk ka lajmëruar mbajtjen e një proteste sot para Kuvendit ku po mbahet seancë plenare. Lideri demokrat Lulzim Basha është në Peshkopi në takime me qytetarët, e duket se enerjgitë opozita po i ruan për protestën e 16 marsit para Kryeministrisë. 

Por megjithatë, incidentet e vogla nuk kanë munguar. Përfaqësues të FRPD-së kanë hedhur disa shashka nga selia e PD-së, drejt Parlamentit, përmes murit ndarës mes godinës së PD-së dhe Kuvendit. Në përgjigje të këtij veprimi, forcat e policisë kanë hedhur ujë nga autoboti që ndodhej pranë portës së hekurit që ndan selinë me ambjentet e jashtme të Parlamentit. 

Gazetari i Report Tv, Elis Memelii ka raportuar se përveç kapsollëëve dhe shashkave, të rinjtë e PD-së kanë hedhur edhe disa gurë, por situata është përmbyllur menjëherë dhe pas hedhjes së ujit të rinjtë janë larguar.

Edhe pse nuk ishte parlajmëruar protestë, Policia e Shtetit ka marrë plan masash të forta duke rrethuar parlamentin.