SHBA dërgon raketa dhe luftanije në Lindjen e Mesme

11 Maj 2019, 11:28

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po dërgojnë në Lindjen e Mesme luftanije dhe një sistem raketor mbrojtës ajror në kuadër të rritjes së tensioneve me Iranin. Sipas Pentagonit, në përgjigje të kërcënimeve për operacione të mundshme kundër forcave amerikane në rajon nga ana e Iranit, kryqëzori Arlington, i cili mban mjete amfibe dhe ajrore, do të bashkohet me grupin e luftanijeve të tjera në Gjirin Persik. Bombardues amerikanë B-52 gjithashtu janë dislokuar në një bazë ushtarake në Katar. Shtetet e Bashkuara kanë dhënë pak informacion rreth natyrës së saktë të kërcënimeve të raportuara kurse nga ana e tij Irani i ka hedhur poshtë deklaratat amerikane duke i quajtur absurde. Megjithatë, sipas eksponentit të lartë fetar Yousef Nejad, “flota ushtarake e SHBA mund të shkatërrohej me një raketë të vetme". Të premten, Pentagoni tha se Shtetet e Bashkuara nuk kërkonin konflikt me Iranin, por Uashingtoni ishte "gati për të mbrojtur forcat amerikane dhe interesat në rajon".

Tensionet e përshkallëzuara mes Iranit dhe SHBA vijnë pas tërheqjes në mënyrë të njëanshme të administratës Trump nga një marrëveshje bërthamore që Amerika dhe vendet e tjera kishin nënshkruar me Iranin në vitin 2015. Sipas marrëveshjes, Irani kishte rënë dakord të kufizonte ndjeshëm aktivitetet e tij bërthamore. Pas tërheqjes nga marrëveshja, administrata Trump shpreson ta detyrojë Iranin të negociojë një "marrëveshje të re" që mbulon jo vetëm aktivitetet e saj bërthamore, por edhe programin e saj të raketave balistike.