SHBA, jep dorëheqjen Prokurori i Përgjithshëm William Barr

15 Dhjetor 2020, 11:59

Prokurori i Përgjithshëm në SHBA, William Barr do të largohet nga ky post pak përpara Krishtlindjeve. Këtë e ka bërë të ditur Presidenti në detyrë Donald Trump përmes një postimi në Tëitter mbrëmjen e djeshme.

Barr, përmes një letre zyrtare për Presidentin Trump postuar nga presidenti republikan në Twitter, tha se ai do të largohet nga posti më 23 dhjetor. Trump gjithashtu njofton se Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Jeff Rosen do të marrë postin e Barr pasi ky i fundit të largohet.

Letra vjen ndërkohë që Barr kishte informuar presidentin në detyrë rreth shqyrtimit që Departamenti i Drejtësisë kishte bërë lidhur me aludimet e fushatës së Trump për mashtrim të votuesve në zgjedhjet e vitit 2020.

Në të, Barr premton se pretendimet e ngritura nga Presidenti "do të vazhdojnë të ndiqen".

Në letër, Barr vlerëson gjithashtu atë që ai e quan rekord historik të Trump, duke thënë se ai ka ndihmuar në rritjen e ekonomisë, forcimin e ushtrisë dhe frenimin e imigracionit të paligjshëm."Marrëdhënia jonë ka qenë shumë e mirë, ai ka bërë një punë të jashtëzakonshme!" tha Presidenti Trump për zotin Barr në Twitter.