ShBA miraton përdorimin e plazmës si trajtim për COVID-19

24 Gusht 2020, 12:54

Duke e quajtur "një moment me të vërtetë historik", Presidenti Donald Trump përshëndeti të djelën miratimin nga qeveria të përdorimit të plazmës konvaleshente, që siç tha ai, "do të shpëtojë jetë të shumta" pacientësh të prekur nga koronavirusi.

Presidenti Trump dhe Sekretari i Shëndetësisë Alex Azar, gjatë një takimi me gazetarët, theksuan se një muaj pas trajtimit me plazmë ka patur një rënie me 35 për qind të vdekshmërisë tek pacientët nën 80 vjeç, që nuk kanë qënë në respiratorë, dhe që e kanë filluar trajtimin në fazat e hershme të prekjes nga virusi.

"Në prodhimin e ilaçeve të reja, ulja e vdekshmërisë me 35 për qind është një arritje e madhe", tha Sekretari Azar, përkrah presidentit në konferencën e shtypit, duke shtuar se "ky është një përparim i madh për trajtimin e pacientëve".

Plazma konvaleshente sigurohet nga pacientë që e kanë kaluar dhe janë shëruar nga koronavirusi dhe është e pasur me anti-trupa. Ajo është përdorur për të trajtuar dhjetra mijëra pacientë me Covid-19 në ShBA.

Pak para konferencës së shtypit, Agjencia e Ushqimit dhe Barnave, njoftoi se kishte autorizuar - por teknikisht pa i dhënë miratim përfundimtar - përdorimit të plazmës që përmban anti-trupa nga pacientë të shëruar.

Një ditë para njoftimit, Presidenti Trump ishte shprehur në një postim në Twitter se "një 'shtet brenda shtetit' ose dikush tek Agjencia e Barnave, po e bën shumë të vështirë për kompanitë farmaceutike të sigurojnë njerëz për të testuar vaksinat dhe terapitë e reja".

Në postim ai vazhdonte më tej se "është e qartë që synojnë ta vonojnë përgjigjen deri pas 3 nëntorit. Duhet të veprojmë shpejt dhe të shpëtojmë jetë!"