Matthew Palmer, Zëvendës Ndihmës-Sekretar i Shtetit në SHBA në një intervistë për Top-Channel shprehet se qëndrimet e qeverisë amerikane në raport me zhvillimet politike nga vizita e tij e fundit s’kanë ndryshuar. Nga Washingtoni, z. Palmer ka një mesazh të drejtpërdrejtë për udhëheqësit e opozitës Shqiptare. “Dua të jem shumë i qartë me Z. Basha, Znj. Kryemadhi dhe të tjerë në partitë e tyre: nëse në protestat e ardhshme ka akte dhune, për ne ata do të jenë përgjegjësit. Ka qenë shumë e qartë në të kaluarën që kur drejtuesit duan që protestat që të jenë paqësore, ato kanë qenë paqësore.
Demonstratat e dhunshme po dëmtojnë përpjekjet e Shqipërisë për reforma demokratike si dhe perspektivën e vendit për të ecur përpara në rrugën drejt BE. Shtetet e Bashkuara nxisin të gjitha palët që të bëjnë hapa pas nga konfrontimi dhe të angazhohen në dialog konstruktiv që synon t’i japë fund ngërçit politik”. Thotë Palmer. Zëvendës-Ndihmës Sekretari i Shtetit në SHBA, Palmer dërgon një paralajmërim për ata që do të tentojnë të pengojnë qytetarët të votojnë.
Ai thotë: “Kur isha në Tiranë në prill, e nxita opozitën të merrte pjesë në zgjedhje, t’ia përcillte mesazhin e saj qytetarëve, të fitonte pozicionin në qeveri, dhe pastaj ta përdorte fitoren si mjetin për të mbajtur angazhimet dhe vizionin për të ardhmen. Ishte vendimi i udhëheqësve të opozitës, dhe vetëm i tyre, që të mos regjistroheshin për zgjedhjet e 30 qershorit. Nuk mund të fitosh zgjedhjet nëse qëndron jashtë tyre dhe përdorimi i bojkotit për të penguar zgjedhjet vendore të një vendi të tërë nuk ndihmon për ndërtimin e institucioneve më të forta demokratike.