SHBA/ Një mësues special, gjithashtu lojtar basketbolli, që të gjithë do ta donin

5 Shkurt 2019, 11:10

 Leksionet e një mësuesi të Fizikës në Shtetet e Bashkuara, shpesh marrin forma të pazakonta por dhe mjaft të vlerësuara nga studentët.

Jonathan Clark, i cili gjithashtu është një lojtar basketbolli, është i mirënjohur për manovrat me top në ajër. Në një video të hedhur në profilin e tij në Twitter, ai niset me vrap përmes tavolinave, kërcen në ajër mbi kokat e nxënësve të tij dhe shënon në koshin e adaptuar mbi derën e klasës.

Falë kësaj mënyre shpjegimi të një prej ligjeve të Isak Njutonit, Clark, "profesori profesionist" është bërë mit i studentëve të tij dhe tani, falë kësaj videoje virale, me siguri ai do të bëhet i njohur edhe për shumë nxënës të tjerë.

Pas suksesit në internet, profesori shkruan në Twitter-in e tij: "Për mua ka qenë e vështirë t’u shpjegoj studentëve Ligjin e Gravitetit dhe gjeta këtë mënyrë, e cila mendoj është e duhura për të shpjeguar këtë ligj të Fizikës”.