SHBA, rekord i ri, më shumë se 2 viktima çdo minutë nga COVID-19

10 Dhjetor 2020, 22:55

UASHINGTON - Zyrtarët amerikanë të shëndetësisë shtuan përgatitjet për një fushatë historike të vaksinave ndaj koronavirusit përpara miratimit të pritshëm nga agjencia rregullatore federale, ndërsa ligjvënësit në Kongres debatuan të mërkurën për kushtet e një pakete lehtësimi ekonomik nga COVID-19.

Lëvizja e vazhdueshme drejt fillimit të vaksinimit dhe negociatat në Kongres vijnë ndërsa infektimet nga COVID-19 u rritën në nivele edhe më të larta, duke mbingarkuar deri pranë pragut maksimal sistemet e kujdesit shëndetësor në disa pika të nxehta të pandemisë. Sipas një përllogaritjeje të agjencisë së lajmeve Reuters, Shtetet e Bashkuara arritën një nivel të ri rekord viktimash, me të paktën 3'112 të vdekur brenda të mërkurës, më shumë se ndonjëherë që nga fillimi i pandemisë.

Dhjetë qarqe kryesisht rurale në Kaliforni raportuan se nuk kishin në dispozicion shtretër të njësive të kujdesit intensiv, sipas të dhënave shëndetësore të këtij shteti, të analizuara nga agjencia Reuters.

Në zemrën bujqësore të Kalifornisë, Central Valley, shtrimet nga COVID-19 kanë mbingarkuar krejtësisht disa spitale. Në qarkun Fresno, me 1 milion banorë, vetëm shtatë shtretër mbetën të paplotësuar të mërkurën në njësitë e kujdesit intensiv.

Duke ofruar një rreze të re shprese, disa zyrtarë thanë se vaksinimet mund të fillojnë ndoshta edhe këtë fundjavë dhe shtetet kanë përshkallëzuar planet për atë që ka të ngjarë të jetë një përpjekje për shpërndarjen në dimensione të papara.