SHBA-Kubë, 'Game of Thrones'

31 Maj 2019, 13:05

Ndërsa SHBA po eskalojnë raunde të shpeshta bisedimesh për të shmangur një luftë të vërtetë tregtare mes tyre dhe Kinës, një grindje e vjetër midis Uashingtonit dhe një shteti tjetër komunist është kthyer në sipërfaqe - konflikti me Kubën. Tre vjet më parë, kur presidenti amerikan Barak Obama shkoi në Kubë, për shumë analistë, vizita e tij u gjykua e barazvlefshme me rënien e murit të Berlinit dhe ishte simbol i fundit të një epoke armiqësie dhe ngërçi me një kundërshtar të vjetër. Dukej se Uashingtoni dhe Havana më në fund mund ta kthenin faqen e historisë së Luftës së Ftohtë.

Por, gjatë presidencës Trump, sanksionet kundër Havanë po rriten përsëri. Uashingtoni ka riaktivizuar një ligj “të fjetur”, i vendosur në vitin 1996 nga administrata e Bill Clinton, i njohur si Akti Helms-Burton, ligj i cili lejon këdo që, pas revolucionit kuban të vitit 1959 iu nacionalizuan pronat, të padisë qeverinë kubane dhe të përfitojë pronat e mëparshme, në të kundërt SHBA do të vendosin embargo.