Shehi: Zgjedhje në pranverë! Kush do që kalamajtë mos t'i ikin si sirian nëpër botë, të ndryshojmë realitetin! Jo se do vijë mrekullia, por...

10 Janar 2020, 16:19

TIRANË - Opozita ende nuk ka vendosur nëse do t’i rikthehet protestave me qëllim largimin e kryeministrit Edi Rama. Deklarata është bërë nga aleati i Partisë Demokratike, kreu i Lëvizjes për Zhvllim Kombëtar, Dashamir Shehi i cili ka theksuar se opozita i qëndron kërkesës së saj largimin e qeverisë aktuale dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.

"Nuk është marrë ndonjë vendim për të rinisur protestat, është marrë një vendim që do t'i përdorim të gjitha mjetet demokratike për të mbrojtur interesat opozitare, që janë largimi i kësaj qeverie, zgjedhje të parakohshme sa më shpejt qoftë dhe nesër në mëngjes. Do të bëjmë të gjithë llojet e kompromiseve dhe çdo lloj mjeti, me qëllim largimin e kryeministrit Edi Rama pasi demokracia po shuhet fare. Mjeti më demokratik është protesta, nuk e kemi vendosur ende. Është në një afat të dytë", thotë Shehi për Report Tv.

Por cila është zgjidhja që opozita ofron për zgjidhjen e krizë ndërsa nga pala tjetër zgjedhjet do të zhvillohen në vitin 2021.

"Ne zgjidhjen e mendojmë kështu, largimi i Ramës, të bëhet një qeveri e përbashkët, qeveri e mbështetjes, e rëndësishme që kjo qeveri të marrë parasysh 9 pikat e Bundestagut gjerman dhe rimëkëmbja e Shqipërisë, që të përgatisë zgjedhje të lira dhe të ndershme sa më shpejt të jetë e mundur. Ne do presim se si do të reflektojë pala tjetër dhe në funksion të saj do përdorim mjetet që kemi në dorë. Nëse këta zotërinj e quajnë qeverisje këtë lloj regjimi ne nuk jemi dakors. Zanati për atë që është në pushtet është se si ta sfidojë kundërshtarin. Kjo është në mendjen rurale të shqiptarit, koha do të tregojë. Asnjë nuk është larguar me vullnet në Shqipëri. Ne gjykojmë se ky njeri duhet të largohet", u shpreh Dashamir Shehi.

Aleati i Bashës ka dhe një apel për qytetarët shqiptarë, ku nuk premton mrekulli, por normalitet.

"Kush kupton pak ka një ndërgjegje të vogël. Kush do kalamajtë e vet që mos i merren me drogë, kush do që kalamajtë mos i ikin nëpër botë, sikur janë sirian, hajde ta ndryshojmë këtë realitet, jo se do vij mrekullia por hajd të kthejmë normalitetin", tha Shehi. 

Duke u ndalur tek diskutimi për reformën zgjedhore Shehi ka theksuar se ndryshimet do të vendosen sipas shumicës.  Sipas Shehit për opozitën është imediate të shkohet në zgjedhje të parakohshme, ku opozita duket e gatshme të pranojë dhe sistemin aktual zgjedhor dhe pse dëshira është një sistem më modern.

    No videos found.