TIRANË- Protestat për të luftuar qeverinë Rama kanë kaluar në plan të dytë dhe opozita ka përqafuar kauzën për mbrojtjen e teatrit.
I gjithë aksioni opozitar është fokusuar në mbrojtjen e Teatrit, atë që ata e quajnë si :beteja e ligjit kundër antiligjit". Nga selia, ish-deputeti Petrit Vasili ka dalë në një konferencë për mediat, ku ka argumentuar se përse kjo "betejë" është e rëndësishme, e ndërsa iu është përgjigjur edhe akuzave se kjo protestë tashmë nuk është më vetëm qytetare, por e politizuar.
Reagimi i plotë
Të gjithë shqiptarët janë me sy e vesh të hapur dhe në këmbë për të mbrojtur Teatrin Kombëtar nga grabitësit e pushtetit dhe hajdutët me kravatë.
Sepse: Te Teatri është beteja e ligjit, me antiligjin. Mbrojtjes të vlerave dhe rrënjëve kulturore e historike nga njëra anë dhe pushtetarëve shkatërrues nga ana tjetër. Beteja mes qytetarisë dhe vandalëve. Beteja për mbrojtjen e pronës dhe interesit publik kundër grabitjes dhe vjedhjes së tij. Është beteja mes shkuarjes në Europë përmes vlerave përballë antivlerave të hajdutëve dhe pastruesve të parave të krimit që na mban larg nga Europa.
Është lufta për të mbrojtur memorien e ndritur të vendit nga njëra anë dhe atyre që duan ta shuajnë këtë memorie nga ana tjetër. Çështja e Teatrit Kombëtar është një betejë në rradhë të parë qytetare, e prirë nga profesionistët dhe që i ka qëndruar fort këtij dimensioni. Kjo betejë është politizuar vetëm nga Edi Rama dhe sejmenët e tij të cilët në vend që ti kthejnë përgjigje se pse e shkelën dhe dhunuan ligjit për të grabitur pronën publike, janë fshehur pas parrullave politike, boshe, për fat të keq të mbështetura dhe nga disa ndërkombëtarë.
Në çështjen e Teatrit Kombëtar është shkelur Kushtetuta e Shqipërisë, është shkelur Konventa Evropiane e Trashëgimisë Kulturore, është dhunuar kryq e tërthorë parimi i decentralizimit dhe autonomisë vendore duke rrëmbyer kompetencat, janë dhunuar standartet dhe vlerat e Bashkimit Europian dhe parashikimet e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, është grabitur prona publike në mënyrë të dhunshme dhe gjithshka është reduktuar në një tender të paracaktuar, të qepur sipas kostumit të fituesit dhe interesave qindra milionëshe të Edi Ramës dhe të tijëve.
