Hapi i parë që do të bëjë Partia Demokratike me ardhjen në pushtet, qytetarët do ti japin besimin për të qeverisur do të jetë finalizimi i projektit të kartës së pacientit, reformimi i sistemit spitalor dhe ndalimi i largimit të mjekëve.
Këto ishin zotimet e kryedemokratit Lulzim Basha gjatë një takimi me mjekë dhe infermierë ku diskutoi programin “Shqipëria fiton Shëndetësinë”
Shërimin e sistemit shëndetësor, Basha e sheh te stimulimi i mjekëve nëpërmjet rritjes së pagave dhe shtimin e personelit mjekësor nëpërmjet hapjes së fakultetit të dytë.
Pasi dëgjoi shqetësimet dhe sugjerimet e mjekëve, kreu i PD Lulzim Basha tha se angazhimet e tij nuk janë premtime, por masa konkrete që synojnë të vendosin stabilitetin në sistemin shëndetësor.
'Hapi i parë, stabilizim, është stabilizimi. Por pa këtë hap as mund të bëhet fjalë për diçka tjetër. Po nuk ndale hemoragjinë, të rrofshin në qoftë se bëhesh gati për operacion apo për të futur serumin apo për të bërë një ndërhyrje sepse pacienti vdes. Dhe shëndetësia shqiptare është në gjendje kome. Me këto ritme, në qoftë se ne nuk ndalim këtë shpopullim të personelit shëndetësor, nuk ka për të pas më shëndetësi për të shpëtuar. S’do ketë më shëndetësi, pikë. Do kthehemi 80 vjet përpara jo 30 vjet përpara. Dhe kjo është e papranueshme. Cilat janë dy masat konkrete ?! Rritja e me efekt të menjëhershëm e pagave të mjekëve deri në 1200, të infermierëve deri në 700 Euro dhe të mjekëve specializantë 950 Euro. Dhe hapi i dytë, rritja e kapaciteteve trajnuese për mjekë, për më shumë mjekë. Pastaj kemi një seri masash të cilat do të synojnë reformimin e ambientit të spitaleve publike, të ambientit të punës që nga pajisjet, investimet, trajnimi që përmendi profesori dhe pa diskutim edhe politikat e tjera të shëndetit publik që do të kenë edhe të bëjnë me shërbimin, qoftë rajonalizimin e shërbimit spitalor, qoftë aksesi te mjeku i familjes sepse e thatë me të drejtë që mjeku i familjes duhet të jetë i aksesueshëm në një distancë të arsyeshme për popullsinë në vend. Jemi një vend i vogël por me terren të thyer, pavarësisht se ka pasur një përqendrim të madh demografik 30 vitet e fundit se jemi të gjithë dëshmitarë, prapë se prapë shteti e ka për detyrim të subvencionojë në masën e mjaftueshme që të garantojë aksesin tek hallka e parë që është mjeku i familjes për çdo banor të Shqipërisë, pavarësisht se ku jeton”, - tha Basha.
