'Shënim për një keqkuptim të madh', Rama për 'Minishengen': Në shqip ishte tradhti kombëtare, në anglisht u kthye në arritje historike

5 Shtator 2020, 20:00

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se asnjëherë nuk ka dyshuar asnjë çast që do të vinte dita që Kosova do ta pranonte "Minishengin".

Sipas tij, bisedimet mes vendeve bëhen edhe në raste lufte, prandaj janë të nevojshme.

"Më ka "lodhur" vetëm refuzimi i pafundëm, koha e humbur kot me shumicë, kompleksimi i dëmshëm i faktorëve racionalë në politikën e Kosovës; të cilët u strukën brenda guackës së absurdit të krijuar nga fansat e turbofolk-nacionalizmit provincial, që e futi Kosovën në një rrugë qorre defaktorizimi ndërkombëtar e ftohjeje me aleatët e saj më të mëdhenj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermaninë", shkruan Rama.

Postimi i plotë:

Shënim për një keqkuptim të madh

Dje Kosova firmosi një marrëveshje të re me Serbinë. Bukur!

Çdo komunikim, takim, marrëveshje drejt paqes përfundimtare, mes dy vendesh që e kanë mbaruar luftën mesveti, është në vetvete diçka pozitive. Të komunikosh me armikun nuk është asnjëherë e gabuar në vetvete; as në mes të luftës, kur kjo është e nevojshme dhe e mundur. E gabuar në vetvete është të mos komunikosh kur e kërkon nevoja dhe krijohet mundësia. Ndërsa të mos komunikosh e të mos takohesh dhe madje të predikosh të kundërtën, e të etiketosh si tradhëtarë ata që e bëjnë këtë, kur lufta ka mbaruar e kur armiku i deridjeshëm është fqinji i sotëm e i nesërm, kjo është jo thjesht e gabuar! Është e fajshme.

Nuk e kam dyshuar asnjë çast që do të vinte dita që Kosova do ta pranonte "Minishengin" e ashtuquajtur - për mua është Shengen Rajonal, aspak "mini"! Më ka "lodhur" vetëm refuzimi i pafundëm, koha e humbur kot me shumicë, kompleksimi i dëmshëm i faktorëve racionalë në politikën e Kosovës; të cilët u strukën brenda guackës së absurdit të krijuar nga fansat e turbofolk-nacionalizmit provincial, që e futi Kosovën në një rrugë qorre defaktorizimi ndërkombëtar e ftohjeje me aleatët e saj më të mëdhenj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermaninë. Humbëm jo vetëm kohë e reputacion, me atë taksën e famshme që do gjunjëzonte Serbinë dhe që u kthye në gjobë e lojës së brendshme elektorale duke plagosur Kosovën! Po humbëm edhe shanse që s'përsëriten në ndeshjen politike e diplomatike me Serbinë.