Shërbimet online/ Rama: Shqiptarët kanë kursyer 4 mln euro dhe 472 vjet pritje në radha!

2 Mars 2021, 16:58

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se deri më tani 95% e shërbimeve jepen online. Kjo gjë, ka theksuar Rama, u ka kursyer shqiptarëve 4 mln euro dhe 472 vjet pritje në radha. Ai shtoi se vendi ynë e ka gati pasaportën dixhitale të vaksinimit, si një formë përgatitje nëse vende e tjera e vënë kusht udhëtimi.  Në këtë pasaportë udhëtimi, do të jenë të përcaktuara emri, mbiemri, datat e bërjes së 2 dozave dhe lloji i vaksinës.

Ndërkohë, është bërë me dije se shumë shpejt në e-Albania do të ofrohet edhe shërbimi për të planifikuar datën për marrjen e vaksinës, në momentin që do të nisë procesi i vaksinimit masiv. Se kur do të ndodhë kjo nuk ka një datë, për arsye shumë të thjeshtë tha Rama, pasi nuk janë siguruar dozat e vaksinës. Shefi i qeverisë, duke e cilësuar e-Albania-n, si një histori suksesi shqiptare, tha se nëse nuk do të ishte ky shërbim online, atëherë vendi ynë do e kishte përballuar ndryshe pandeminë dhe tërmetin, pasi sipas tij gjatë këtyre dy fatkeqësive do ishte e pamundur për të operuar ndryshme. Nga ana tjetër, në përgjigje të interesit të gazetarëve, drejtoresha e AKSH-it, Mirlinda Karçanaj ka dhënë shifra konkrete mbi numrin e shërbimeve të dhënë online për çdo kategori, e ndërsa dha lajmin e mirë se e-Albania do të përshtatet shumë shpejt edhe për personat që nuk shohin apo dëgjojnë.