Sherr për Duty Free në gjykatë, njerëzit e gruas së Gjin Gjonit: Pse na hoqët licencën?

14 Nëntor 2019, 14:47

TIRANE- Është shoqëruar me debate dhe momente tensioni seanca e radhës gjyqësore mes përfaqësuesve të bashkëshortes së Gjin Gjonit, Elona Çaushi dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Financave për licencën e kompanisë së znj. Çaushi, për të kontrolluar ambientet Duty Free në Aeroportin e Rinasit, ndonëse ka humbur tenderin si dhe i ka mbaruar kontrata për këtë ambiente që në datën 27 gusht 2019. Seanca përgatitore zhvillua paraditen e sotme nën drejtimin e gjyqtarit Avni Sejdi, i cili me një vendim të ndërmjetëm, në 8 tetor të 2019, ka pranuar kërkesën e Albania Duty Free Distribution për pezullimin e efekteve të vendimit të Ministrisë së Financave për anulimin e autorizimit për ushtrimin e aktivitetit në ambientet Duty Free në Aeroportin e Rinasit, deri në zgjidhjen me themel të çështjes.

Përfaqësuesit e Ministrisë së Financave gjatë seancës kërkuan që të merrnin pjesë në gjykim si palë të interesuara kompania amerikane International Cruise Duty Free (ICDF), e cila ka fituar tenderin dhe ka lidhur një kontratë me TIA për menaxhimin e ambienteve që mban ‘peng’ kompania e çiftit Gjoni, kompaninë koncensionare TIA që menaxhon aeroportin e Rinasit si dhe Drejtorinë e Doganave. Katër përfaqësuesit e kompanisë së Elona Çaushit Albania Duty Free Distribution e kundërshtuan këtë kërkesë, me argumentin se padia nuk prek palët në fjalë, por objekti është vetëm goditja e një akti të Ministrisë së Financave, e cila në fund të muajt shtator vendosi t’i heqë licencën ADFD, në një kohë kur në mes të muajt gusht 2019. Gjatë kundërshtimeve, seanca mori një rrjedhë tjetër, pasi palët u përshinë në debate. Avokatët e gruas së Gjin Gjonit iu drejtuan përfaqësuesve të Ministrisë së Financave dhe një përfaqësuesi të TIA-s: Pse na hoqët licencën? Nuk kemi punë me ICDF. Pse nuk ju hedh në gjyq ju ICDF?”. Ndërkaq, përgjigja e përfaqësuesve të Financave ishte: “Sepse nuk kemi kontratë. U ka mbaruar kontrata. Si mund të merrni licencë pa patur kontratë? TIA ka organizuar tenderin, të cilin e ka fituar ICDF, duke lidhur një kontratë. Bëhet fjalë për të njëjtat ambiente”. Ndërkaq, avokatët e bashkëshortes së Gjin Gjonit kanë pretenduar se kontrata mes TIA dhe ICDF për menaxhimin e ambienteve që kontrollin sot ADFD me vendime gjykatash, nuk është më vlefshme që nga data 1 nëntor 2019, për shkak të pamundësisë së zbatimit.