Sherret më të 'famshme' në parlament, ja 40 deputetët e ndëshkuar 2005-2019

2 Maj 2019, 10:39

Seancat plenare në Parlamentin Shqiptar, gjatë krizave politike dhe sidomos në periudhat parazgjedhore, janë karakterizuar nga një retorikë agresive politike, e cila shpeshherë është kulmuar me përleshje mes deputetëve, zaptim të foltores së Parlamentit, fyerjeve të rënda, kërcënimeve bllokimit të punimeve të Kuvendit etj. Pas zgjedhjeve parlamentare të 2017, nuk kanë munguar as sulmet e organizuara fizike ndaj kryeministrit dhe anëtarëve të qeverisë, hedhja e tymuesve dhe rrëmujat e paprecedenta, siç ndodhi edhe gjatë seancës së zgjedhjes së kryeprokurores së përkohshme.

Për marrjen e masave disiplinore ndaj deputetëve që shkaktojnë rrëmujë në mjediset e Kuvendit, kërcënojnë, sulmojë etj., deputetët e tjerë, Kuvendi ka ngritur një organ të veçantë, që është Byroja e Kuvendit, e cila në përbërjen e saj pasqyron për aq sa është e mundur përbërjen politike të Kuvendit. Nga viti 2005 deri në vitin 2019, Byroja e Kuvendit, ka marrë 32 vendime për ndëshkimin e 40 deputetëve, për sjellje në shkelje të Rregullores së Kuvendit. Pjesë e deputetëve të ndëshkuar nga Byroja e Kuvendit, tashmë ish-deputetë, rezultojnë edhe Sali Berisha, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi.

Madje, ndaj Berishës janë marrë dy masa disiplinore. Më 19 qershor 2014, Byroja e Kuvendit ka vendosur të përjashtojë Berishën me 10 ditë nga komisionet parlamentare dhe seancat plenare. Po me 10 ditë Berisha është përjashtuar edhe me 27 maj të 2016. Në të dy rastet, Berisha është ndëshkuar për thirrje për përdorim dhune, pengim të seancës plenare, fyerje dhe kërcënime ndaj deputetëve të tjerë. Ndërsa Ilir Meta është përjashtuar me 15 ditë nga Kuvendi në 28 korrik të 2006, së bashku me ish-deputetët Ndre Legisi, Skënder Gjinushi, Ndriçim Hysa dhe Paulin Sterkaj.