Sherri gjatë derbit Partizani-Tirana, u plagosën 3 persona! Policia arrestoi 2 tifozë, nën hetim 14 të tjerë

22 Janar 2021, 14:32 | Përditesimi i fundit: 2021-01-22 16:51:32

ELBASAN –  Ka degjeneruar  në dhunë mes tifozeve situata në Elbasan në ndeshjen Partizani- Tirana. Si pasojë e përplasjes mes tyre kanë mbetur të lënduar të paktën 3 persona , 2 persona janë arrestuar dhe 14 të tjerë janë nën hetim.

Ndërkohë janë thyer xhamat e dy lokaleve në Elbasan. Një në afërsi të stadiumit dhe tjetri afër  qendrës se qytetit. Tifozët e Partizanit pas konfliktit të parë pranë stadiumit u ndoqën deri në qendër nga policia.

Pasi kanë parë një grup tifozësh të Tiranës, aty i kanë dhunuar ata duke i shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme biznesin. Fasada e jashtme prej xhami, televizorë, tavolina dhe karrige u dëmtuan nga grupi i tofozëve, ç’ka ka sjellë edhe reagimin e pronarit të lokalit, i cili dënoi dhunën në pronën e tij.

Pronari i lokalit Astrit Mahmuti thotë se dëmi është i konsiderueshëm dhe kap një vlerë prej 300 mijë lekësh të reja. Ai kërkon zgjidhje nga organet kompetente.

Në deklaratën për shtyp policia njoftoi arrestimin e dy personave. Përkatësisht të Stiven Vojka, 28 vjec dhe Kevi Beqiraj 19 vjec për plagosjen e tre personave dhe dhunimin e dy bizneseve. Një ditë më pas dëmet në biznese janë të dukshme.

Lokali në qendër të qytetit ka nisur punën, ndonëse pa fasadë jashtë dhe pa televizorë. Për pronarin e lokalit i cili si për ironi të fatit është arbitër i federatës Shqiptare të Futbollit ngjarja është e rëndë dhe dëmi i madh. Teksa rishpjegon edhe njëherë se cfarë ndodhi një natë më parë Astrit Mahmuti kërkon të dëmshpërblehet.

Derbi kryeqytetas u mbyll 1-0 në favor të Partizanit, ndërsa tensioni i nisur jashtë u ndje edhe në tribunë.