Shifrat e FMN-së: Çdo shqiptar e mbyll këtë vit me 425 USD më pak në portofolin e tyre

19 Tetor 2020, 14:48 | Përditesimi i fundit: 2020-10-19 14:53:49

Të ardhurat për frymë të shqiptarëve në vitin pritet të ulen me 425 dollarë, ose me gati 8% në krahasim me vitin e mëparshëm, sipas tabelave të përditësuara të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Në terma nominalë, të ardhurat për frymë të çdo individi, me çmimet aktuale (në dollarë për frymë) pritet që në vitin 2020 të zbresin në  4,898 dollarë, nga 5,323 dollarë një vit më parë.

Në total, sipas shifrave të FMN-së, vendi pritet të humbasë 1.24 miliardë dollarë këtë vit, shumë që është sa 8% e të ardhurave vjetore në 2019-n.

Kjo tendencë, e rënies së të ardhurave për frymë po konstatohet në të gjithë botën, për shkak të pasojave që dha në ekonomitë globale karantina me synim parandalimin e infeksionit të Covid-19 dhe pasigurive që ende po vazhdojnë, duke ngritur shumë pasiguri për të ardhmen.

Në rajon, Shqipëria (-425 USD) dhe Mali i Zi (-892 USD) pritet të kenë rënien më të lartë të të ardhurave për frymë, për shkak të tkurrjes më të lartë ekonomike të parashikuar për këto vende, që janë të lidhura me turizmin.  Për maqedonasit humbja do të jetë minimale (90 dollarë më pak) dhe për boshnjakët arrin në -253 dollarë për frymë më pak. Për shtetasit e Kosovës, humbja është -287 dollarë për frymë, me një rënie prej 6.5%. Në rajon, shteti që ka qenë më rezistent ndaj krizës së Covid-19 është Serbia. Ky i fundit është ndër të pakti në botë, ku FMN parashikon që të ardhurat për frymë nuk do të bien, përkundrazi do të rriten lehtë, me 90 dollarë.