TIRANE - Katër ditë pas zgjedhjeve të 30 ëqershorit, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri kërkoi të marrë votën e anëtarëve të KQZ-së për të bërë një hetim administrativ kryesisht, lidhur me mosrakordimin e shifrave të pjesëmarrjes që ky institucion deklaroi gjatë ditës së zgjedhjeve të 30 qershorit, dhe deri në mbyllje të tyre. Nënkryetari Denar Biba tha se është dakord me këtë propozim, por se hetimi sipas tij duhet të nisë që nga viti 2018, kohë kur u largua drejtori i IT-së së këtij institucioni dhe vendi mbeti vakant edhe sot e kësaj dite. Sipas nënkryetarit të KQZ-së ka qenë pikërisht drejtori i IT-së që ka zbuluar se sistemi që KQZ kishte për të dhënat nuk ishte i vlefshëm për zgjedhjet vendore, por vetëm për të përgjithshmet parlamentare.
Por teksa e ka hedhur në votim propozimin e tij, Zguri ka bërë ndryshime në moment të fundit duke kërkuar hapjen e të gjitha kutive për të marrë procesverbalet dhe listat për të verifikuar sa është numri i atyre që kanë votuar. Nga ana e Bibës, kjo është quajtur hedhje në erë e procesit zgjedhor, që do ta mbante peng atë me numërimin e të gjithë kutive, të një pune që e kanë bërë 90 KZAZ dhe 5489 QV. Nënkryetari i KQZ-së hodhi akuza se propozimi i Zgurit u ndryshua pas ndërhyrjes me mesazh në telefonin e Zgurit të sekretarit të përgjithshëm të PD-së, Gazmend Bardhi.
Ky debat nisi pasi anëtarja e KQZ-së Edlira Jorgaqi i kërkoi kryetarit të institucionit, Klement Zguri, që të japë argumentet ligjorë të kërkesës së tij. Në këto moment Zguri nisi të lexojë disa sqarime ligjore në telefonin e tij, kur Biba ndërhyri dhe tha se nenet po ja shpjegonte Gazmend Bardhi.
Kërkesa e Zgurit u rrëzua nga KQZ me 4 vota kundër dhe 1 pro, ndërsa në bazë të rendit të ditës u miratuan rezultatet e zgjedhjeve të 30 qershorit për Bashkitë Elbasan dhe Lushnje, pa votën e Klement Zgurit, duke certifikuar kështu rezultatet e para në tre bashki të vendit të fituara konkretisht, Gentjan Llatja në Elbasan dhe Fatos Tush në Lushnje.
Ditën e zgjedhjeve, gjatë procesit, dhe në mbyllje të tij, KQZ, përmes zëdhënëses së institucionit dha shifra paraprake të pjesëmarrjes dhe numrit të votuesve, që me numërimin e të gjitha votave, ndryshuan nga rezultati përfundimtar: 22.9 % dhe 812249 vota.
