Në faturën e muajit shkurt, qytetarët që janë gjobitur për mos mbajtjen e maskës në ambiente të hapura e të mbyllura, kanë pasur të reflektuar edhe vlerën e gjobës prej 30 mijë lekësh.
Gjoba do të vijojë të reflektohet edhe në faturën e energjisë elektrike për muajin shkurt dhe në vijim.
Deri më tani, burimet për Report Tv thanë se në faturat e energjisë elektrike janë vendosur 1200 gjoba, me vlerën 30 mijë lekë, pra 36 mijë lekë të rinj, rreth 4 milionë lekë të vjetra. Janë edhe 30 mijë gjoba në proces për t’u hedhur, dhe një pjesë e mirë që po verifikohet.
Të njëjtat burime saktësojnë, se janë rreth 17 mijë gjoba të vendosura nga policia për maskën, që OSHEE i ka kthyer pas për shkak të pasaktësive në të dhëna (përshembull numër i pasaktë i ID) ose janë gjobitur persona që nuk kanë fare kontratë dritash.
Prej 15 tetorit kur me akt normative u vendos që gjoba për maskë të kalojë në faturën e energjisë elektrike në OSHEE u ngritën strukturat përkatëse dhe u ndërhy në sistemin e faturimit, një proces ky që kërkoi kohë.
Siç raportohet cdo ditë nga Policia rrugore, gjobat janë të shumta, dhe të gjitha duhet të kalojnë në një proces shqyrtimi nga strukturat e OSHEE, një proces vetvetiu më i ngadaltë se i policisë. Burime nga OSHEE thanë se të gjitha gjobat e identifikuara shqyrtohen çdo ditë dhe hidhen në sistem.
