Shkarkimi i Arben Malajt nga Banka e Shqipërisë/ Ruçi: Në kuvend pas debatit në komisione

18 Korrik 2019, 18:21

TIRANË- Shkarkimi i Arben Malajt nga posti në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë do duhet të kalojë në disa faza para se të vijë në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo çështje ishte parashikuar në rendin e ditës së Kuvendit por u hoq vetëm pak para nisjes së seancës. Siç njoftoi kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi procedurat për shkarkimin e Malajt do duhet të nisin përmes Këshillit të Ministrave për t'i lënë vend nisjes së procedurave të tjera sipas rregullores së Kuvendit, komisionet dhe mandej seanca e Kuvendit.

"Lidhur me këtë çështje njoftoj nismëtarët dhe kuvendin se kërkesa nga ana ime i është përcjellë Këshillit të Ministrave për kompetencë, pasi në zbatim të nenit 47/1 të ligjit për BSH Këshilli i Ministrave është ai që nis procedurën dhe nëse ai e nis vihen në lëvizje procedurat e tjera sipas rregullores së Kuvendit, komisionet dhe mandej seanca e Kuvendit." u shpreh Ruci.

Partia Socialiste kërkon  shkarkimin e Arben Malajt si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës të Shqipërisë me argumentin se ka shkelur kodin e etikës në daljen e tij publike. 

Deputetët e Partisë Socialiste kanë mbledhur 28 firma, me anë të të cilave kërkojnë që Arben Malaj të lirohet nga posti i tij.