Shkarkohen 3 nga 4 trajnerët e ekipeve Kombëtare, revolucionit i shpëton vetëm Bushi

26 Nëntor 2018, 19:26

Furtuna e paralajmëruar nga presidenti I Federatës Shqiptare të Futbollit Armando Duka ka ndodhur. Nga sot tre trajnerë të Kombëtareve të moshave janë shkarkuar nga pozicionet që mbanin. Me motivacionin për rezultatet të dobëta, Erion Bogdani I U-19, Xhemal Mustedanagiç I U-17 dhe Eqerem Memushi i U-15, nuk do t’I shërbejnë më përfaqësuesve kuqezi.

Nga ky revolucion i paralajmëruar ka shpëtuar vetëm trajneri I Kombëtares U-21, Alban Bushi. Në fakt duke pasur parasysh kriterin e rezultateve edhe Bushi duhet të kishte pasur të njëjtin fat, por federata në këtë rast ka menduar ndryshe. Në eliminatoret e Europianit të mbyllura një muaj më parë Kombëtarja U-21 doli larg pritshmërive pasi u rendit e pesta në grupin e saj duke lënë pas vetëm Estoninë.

Ndërkohë janë mësuar edhe emrat e trajnerëve të rinj që do të marrin drejtimin e këtyre grupmoshave. Kështu te U-19 do të emërohet ish-futbollisti I Tiranës Nevil Dede, te U-17 Elvin Beqiri do të marrë vendin e Mustedanagiç I cili në të ardhmen do të mbajë postin e drejtorit të ekipeve kombëtare, ndërsa te U-15 trajner do të jetë Armand Damo. Prezantimi i trajnerëve të rinj do të bëhet nesër në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit.