Shkelën masat antiCOVID, gjobiten 917 qytetarë në 24 orë! 906 prej tyre u kapën pa maska në rrugë
Njoftimi i policisë:
Nuk zbatuan masat anticovid, ndëshkohen me masë administrative 917 qytetarë, 906 prej tyre për mosmbajtjen e maskës mbrojtëse.
Strukturat e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, vijojnë kontrollet në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Gjatë 24 orëve të fundit, Patrullat e Përgjithshme kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 3.000 lekë, 770 shtetas që janë konstatuar pa maskat mbrojtëse.
Shërbimet e Policisë Rrugore kanë ndëshkuar me të njëjtën masë administrative, 136 shtetas që udhëtonin në mjete private me persona me të cilët nuk kishin lidhje familjare apo në mjetet e transportit publik, pa vendosur maskat mbrojtëse.
Gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë, administratorin e një subjekti që është konstatuar duke ushtruar aktivitetin në kundërshtim me protokollet e sigurisë.
Gjithashtu, në të gjithë vendin janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 10 shtetas që janë konstatuar duke lëvizur në këmbë pas orës 20:00.