Shkodër, akuzat për abuzim me tenderat, gjykata liron mjekët dhe infermierët

22 Shtator 2018, 19:52

SHKODËR- Ditën e sotme, Gjykata e rrethit Shkodër ka liruar mjekët e spitalit Rajonal të akuzuar për shpërdorim detyre.

Mjekut Luan Dragusha i është revokuar masa e sigurisë dhe është i lirë nga të gjitha akuzat, ndërsa për të arrestuarit e tjerë Gjykata ka caktuar masën e sigurisë me garanci pasurore.

Disa ditë më parë, policia arrestoi mjekët Përparim Cela dhe Luan Dragusha, ndërsa u shpall në kërkim E.S. Gjithashtu u arrestua edhe infermieri Renato Kepi si dhe farmacistët Karmen Kaculini dhe DH.U, ndërsa në arrest shtëpie u lanë Juliana Zhuri, Amanda Matlija dhe Albana Mehmetaj.

Sipas prokurorisë, personat e më sipërm në kundërshtim me detyrën i kanë kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë materiale të domosdoshme mjekësore për kabinetin e hemodinamikës. Por organi i akuzës thotë se “ky spital nuk ka pasur asnjë mundësi akomodimi dhe resurse njerëzore , mjek etj, të realizonte kaq shumë ndërhyrje sa stenda, e materiale të tjera ka blerë.”

Nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë pasi është pranuar kërkesa e Spitalit Rajonal Shkodër janë zhvilluar procedurat e tenderimit të materialeve mjekësore dhe dokumentacioni përkatës pas shpalljes së fituesit është përcjellë në Spitalin Rajonal Shkodër me qëllim lidhjen e kontratës dhe marrjen e materialeve në dorëzim.