Shkodër, flasin për Report TV kandidatet e PS dhe PD, Bilali: Forca jonë, listat përfaqësuese!

11 Mars 2021, 18:32 | Përditesimi i fundit: 2021-03-11 18:33:40

Në zgjedhjet e 25 prillit një nga qarqet me përballjen më interesante është ai i Shkodrës. 11 mandatet e kryeqendrës së veriut pritet të jenë 'fushëbetejë' për 6 parti të ndryshme politike.

PD dhe PS pritet të luftojnë me socialistët që vijnë me një ekip totalisht të rinovuar dhe me demokratët që këtë herë janë munduar të kenë kandidatët nga të gjitha zonat.

Për këtë përballje kanë folur për mikrofonin e Report Tv Edona Bilali, e para e kandidatëve të PS dhe Greta Bardeli, e katërta e PD-së, të dyja pritet të jenë në Kuvendin e ardhshëm pasi konsiderohen në zonë fituese.

Znj. Bilali, një vajzë e re pa eksperiencë politike, tregon se ka përvojë të gjatë profesionale, me kontribute të mëdha për komunitetin e bizneseve dhe të rinjtë në Shkodër.

"Ftesën e Kryeministrit e kam mirëpritur. Jam shumë e kënaqur që do të përfaqësoj një pjesë të Shkodrës, e cila është ndier e papërfaqësuar gjithë këto vite. Jam shumë e motivuar për të bërë shumë për Shkodrën për të cilën sado të bësh nuk është kurrë e mjaftueshme.  Unë vij me 11 vite eksperiencë pune gjatë të cilës nuk e kam ndalë ritmin aspak. Atë që kam bërë deri më tani për komunitetin e bizneseve në Shkodër, për të rinjtë në Shkodër, po më jepet mundësia për ta bërë në një nivel shumë më të madh ku përfituesit do të jenë shumë më shumë", thotë ajo për gazetarin e Report Tv, Ergys Kavaja.

Sipas numrit 1 të socialistëve në Shkodër kandidatët janë pika më e fortë e PS-së në këto zgjedhje pasi janë përfaqësues të të gjitha komuniteteve dhe me integritet.

"Në të gjithë Shqipërinë dhe në Shkodër pika më e fortë e Partisë Socialiste janë listat e kandidatëve. Janë shumë përfaqësuese këtë herë. Në të gjithë qarqet gjejmë figura të cilat janë të spikatura në profesionet e tyre, persona me integritet ku gjithkush e gjen veten. Kishte ardhur koha për të pasur shumë gra dhe vajza të cilat kryesojnë listat. Unë kam lobuar për Shkodrën të gjithë karrierën time. Në Shkodër Partia Socialiste ka bërë disa iniciativa të cilat duhen përgëzuar! Ka patjetër shumë më shumë për tu bërë. Shkodra është një qytet i mrekullueshëm, me disa pasuri natyrore por edhe vlera historiko-kulturore dhe intelektuale të cilat përfundimisht të jemi në majë", është shprehur ndër të tjera Edona Bilali.