SHKODËR - Dy persona u arrestuan dhe një tjetër u shpall në kërkim në Shkodër pasi kishin kthyer lokalin në një qendër të lojërave të fatit dhe të trafikut të kokainës.
Ata u kapën në flagrancë teksa po luanin poker ndërsa gjatë kontrollit në ambjentet e lokalit u gjetën 10 doza të vogla kokainë.
Në pranga kanë rënë një 21-vjeçar me iniciale R.P., një 19-vjeçar me iniciale S.M. të dy banues në Shkodër. Një 33-vjeçar me iniciale G.SH. u procedua në gjendje të lirë ndërsa u shpall në kërkim një 29-vjeçar me iniciale R.P.
Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se në një lokal në zonën e Vrakës, Boric i Madh, disa persona ushtronin veprimtarinë e kundërligjshme të lojërave të fatit dhe shpërndanin lëndë narkotike, kanë ushtuar kontroll në ambientet e këtij subjekti.
Në momentin e ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, këta shtetas janë kapur në flagrancë duke zhvilluar lojën e pokerit, të cilën po e organizonte shtetasi G. Sh. Gjatë kontrollit të ushtruar, në lokal janë konstatuar një tavolinë pokeri, dy makineta të lojërave të fatit, çipsa dhe letra që përdoren për lojërat e fatit.
Gjatë operacionit janë sekuestruar: 10 doza me lëndë narkotike të dyshuar kokainë, 1 tavolinë pokeri, 2 makineta të lojërave të fatit, çipsa dhe letra për lojën e pokerit, 1 aparat celular dhe një shumë parash.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.