Militantë të Partisë Demokratike të udhëhequr nga ish-deputetët Flamur Noka dhe Bardh Spahia, bllokuan urën e Bahçallëkut në hyrje të qytetit të Shkodrës, për të penguar kryeministrin Edi Rama që sot zhvillonte një tur në kryeqendrën e veriut në kuadër të zgjedhjeve lokale, "Bashkia që duam".
Një ngjarje e paprecedentë u shënua ku militantët bllokuan një autoambulancë, e cila u detyrua të kthehet nga rruga. Po ashtu rrugëtimi u ndal për më shumë se një orë edhe për disa motoristë shqiptarë që vizitojnë veriun për arsye turizmi.
Për këtë situatë, reagoi edhe kryeministri Edi Rama, i cili teksa ndodhej rrugës për në Malësi të Madhe, tha se pak nga pak edhe mbështetësit e paktë të PD-së, do e kuptojnë se fajin ja kanë udhëheqësit e verbër, siç ai i quan.
Simpatizantët bllokuan dy akset hyrëse të qytetit, tek Ura e Bahçallëkut dhe nga Mjeda në drejtim të urës së Spatharit, për të mos lejuar kreun e qeverisë. Ky aksion bllokues u shoqërua me përplasje me policinë, pasi protestuesit të drejtuar nga Noka dhe Spahia dogjën gomat në mes të rrugës.
Uniformat blu nuk ishin njoftuar më herët lidhur me këtë protestë, për këtë arsye policia bëri ditur se kjo ajo është e paligjshme dhe vazhdimisht ftoi mbështetësit që të largohen. Prania e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejt është parë si një provokim nga ana e protestuesve, të cilët kanë zgjedhur që të mos i binden urdhrit të policisë.