Shkodër/ Qëlloi me armë ndaj një banese, arrestohet 33-vjeçari i shpallur në kërkim

12 Janar 2021, 09:36 | Përditesimi: 12 Janar 2021, 09:39

Një 33-vjeçar i shpallur në kërkim nga policia e Shkodrës është arrestuar. Mbi të rëndon akuza e përkrahjes së autorit të krimit për një ngjarje të ndodhur më 8 janar të 2020. Policia njofton se ai është shpallur në kërkim për një ngjarje ku 33-vjeçari me iniciale A.K. dhe vëllai i tij, 28 vjeçari me iniciale N.K. kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të një banese në fshatin Grudë, Shkodër.Më datë 15 janar 2020, gjykata e Shkodrës vendosi masë sigurie në mungesë, arrest me burg për 33-vjeçarin. "Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, me vendimin e datës 15.01.2020 i ka caktuar masën e sigurisë 'Arrest në burg' në mungesë, për veprën penale 'Përkrahja e autorit të krimit', në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datën 08.01.2020, në fshatin Grudë, Shkodër, ku shtetasi A. K. dhe vëllai i tij shtetasi N. K., 28 vjeç, kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të një banese" - njofton policia. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

b.ha./Shqiptarja.com