Shkodër/ Sekuestrohen 151 kg marijuanë, arrestohet shkodrani dhe dy malazezë

2 Prill 2019, 09:06

Policia e Shtetit ka finalizuar në Shkodër, një operacion të koduar “BARDHAJ” ku u sekuestruan 151 kg marijuanë dhe dy automjete. Në pranga kanë rënë dy malazez Radovan Bulajic, 42 vjeç, Marko Rasovic, 36 vjeç dhe Kristjan Pali, 25 vjeç nga Shkodra.

Kapja dhe arrestimi i shtetasve të mësipërm u bë pasi nga kontrolli në brendësi të mjetit tip furgon “Volksëagen” me targa malazeze, i cili ishte futur në Shqipëri nëpërmjet PKK të Hanit të Hotit nga shtetasi Radovan Bulajic, u konstatuan 25 paketime polisteroli, 13 nga të cilat kishin brenda tyre lëndë narkotike të dyshuar "marijuanë" me peshë totale 151 kg, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan 2 automjete, 5 telefona celularë, 1 palë dylbi dhe një sasi eurosh. Vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Policia njofton se materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve kryer në bashkëpunim i mbetur në tentativë” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve kryer në bashkëpunim”, vepra këto të parashikuara nga nenet 283/a/2, 22 dhe  283/2 të Kodit Penal.