Shkodra si Palermo? Kandidati i PS: S'i frikësohem bandave, do bëj punën time

16 Maj 2019, 16:08

Valdrin Pjetri, pas zyrtarizimi të tij si kandidati i PS për Bashkinë Shkodër, ka dalë në një konferencë për mediat ku është ndalur të flasë për disa çështje të ndryshme. I pyetur nga gazetarët lidhur me krimin në vend, ku herë pas here kryeqendra e veriut është etiketuar si “Palermo e Shqipërisë”, Pjetri tha se nuk i frikësohet një situate të tillë.

"As nuk më frikëson as nuk më ndal për të bërë punën time në zbatim të ligjit dhe për të zbatuar projektet për t'ju ardhur në ndihmë qytetarëve", u shpreh Pjetri.

Duke u ndalur tek gara pa një kundërshtar, Pjetri tha se nuk do donte të kishte ndodhur, por se respekton vendimin e opozitës. Në fjalën e tij, ai u shpreh se vjen nga disa pozicione të larta në administratën shtetërore, së fundmi si kryeregjistrues në hipotekën e Shqipërisë, por deklaroi se propozimin e kryeministrit e ka parë si një mundësi që të vjen një herë në jetë.

"Do doja që të kisha kandidat do të ishte një garë shumë e bukur që të luftonte projekti me projektin për të mirën e qytetit duke pasur konkurrencë të gjithë do të ishim më të kujdesshëm për projektin për të bërë diçka më të mirë për qytetin. Nuk është zgjedhje e imja, por e tyre i pozitës që bojkotoi zgjedhjet" , u shpreh Pjetri.

Në përfundim ai ftoi qytetarët e Shkodrës t'i bashkohen zgjedhjeve të 30 qershorit dhe të mos i bojkotojnë ato. Nëse s'duan të votojnë për PS, Pjetri tha që thjesht t'i vendosin një kryq fletës së votimit.