Betohen në Presidencë/ Ministrat e rinj, Bledi Çuçi dhe Milva Ekonomi morën sot zyrtarisht detyrën

18 Dhjetor 2020, 12:40 | Përditesimi i fundit: 2020-12-18 13:24:59

Ministri i ri i Brendshëm Bledi Çuçi dhe ministrja e re e Bujqësisë, Milva Ekonomi, pas miratimit që morën dje në seancë plenare janë betuar në Presidencë. Me betimin Çuçi dhe Ekonomi kanë marrë zyrtarisht detyrën. Ata ishin të shoqëruar në Presidencë nga Engjell Agaçi, sekretari përgjithshëm i Kryeministrisë. Kuvendi i kaloi dekretet e Presidentit për emërimet e dy ministrave të rinj dje me nga 97 vota.mrat e ministrave të rinj nga Kryeministri i kanë shkuar presidentit mëngjesin e djeshëm ndërsa kreu i shtetit Ilir Meta i ka dekretuar menjëherë. Këto ndryshime erdhën pas dorëheqjes së ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, pas vrasjes së të riut Klodian Rasha nga një efektiv policie. Për këtë arsye, Rama propozoi në vendin e tij Bledi Çuçin dhe në krye të ministrisë së Bujqësisë, Milva Ekonomin! Kush është Bledi Çuçi Bledi Çuçi mori sot zyrtarisht detyrën e ministrit të Punëve të Brendshme, deri më tani ka qenë ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural që prej janarit 2019. Ai ka lindur në Tiranë, më 14 nëntor 1970. Ai ka një djalë, Endi Çuçi. Ka përfunduar studimet e larta për Drejtësi në Universitetin e Tiranës dhe në vitin 1998, studimet pasuniversitare (Master) për Menaxhim në Universitetin Hasselt në Belgjikë. Prej shtatorit të vitit 2013 e deri në mars 2017, z. Çuçi ushtroi detyrën si Ministër Shteti për Çështjet Vendore dhe Koordinator Kombëtar kundër Korrupsionit. Në këtë detyrë, ai udhëhoqi punën për përgatitjen dhe zbatimin e Reformës Administrative Territoriale, një nga reformat më të suksesshme të mandatit të parë të qeverisë Rama. Prej tetorit të vitit 2016, z. Çuçi është i deleguari politik i PS për qarkun Gjirokastër; prej janarit 2018 shërben si Sekretar për Çështjet Zgjedhore dhe anëtar i Kryesisë së PS, ndërsa në korrik 2018, u zgjodh anëtar i Kuvendit të Shqipërisë, duke kryesuar listën e anëtarëve të Kuvendit që përfaqësojnë qarkun Gjirokastër për PS.