Shkollat e dëmtuara nga tërmeti/ PD: Veliaj asnjë qindarkë investim nga taksa e arsimit

30 Dhjetor 2019, 15:21

TIRANE-Partia Demokratike akuzon kryebashkiakun Erion Veliaj për shpërdorim të taksave të qytetarëve. Ish-deputetët e PD-së, Jorida Tabaku dhe Klevis Balliu ishin në shkollat “Musine Kokalari” dhe “Lasgush Poradeci”në zonën e Kombinatit, që janë dëmtuar nga tërmeti i 26 Nëntorit, ndërsa 2500 nxënës janë shpërndarë në shkolla të tjera. Sipas PD-së, në 3 vjet, Erion Veliaj u ka marrë banorëve të Tiranës më shumë se 23 milionë euro, por nuk ka investuar asnjë qindarkë prej tyre në të dyja shkollat, që sot janë të dëmtuara. Tabaku dhe Balliu u shprehën se banorët e Tiranës paguajnë çdo vit rreth 7.5 milionë euro vetëm për taksën e arsimit, por tërmeti zbuloi se kjo taksë shpërdorohet. Ata vijuan me akuzat duke deklaruar se Bashkia e Tiranës nuk e përdor fondin për të përmirësuar infrastrukturën në shkolla e kopshtet, duke lënë në mëshirën e  fatit sigurinë e jetës së fëmijëve. Po sipas tyre, tërmeti zbuloi se nisma “Adopto një shkollë” ishte vetëm fasada e një propagande të shëmtuar dhe të rrezikshme, që, nëse tërmeti do të kishte rënë ditën, mund të kishte pasoja tragjike për fëmijët.