Gripi i ri, 17 viktima e 27 raste të reja! Te 'Shefqet Ndroqi' do trajtohen të sëmurët rëndë

3 Prill 2020, 11:46 | Përditesimi i fundit: 2020-04-03 17:00:15

TIRANË- Në 24 orët e fundit janë testuar 112 persona, nga të cilët janë konfirmuar pozitiv 27 raste të reja duke çuar në total numrin e të prekurve me koronavirus në 304. Në qytetin e Shkodrës ka pasur një dyfishim të rasteve brenda 24 orëve, ku bëhet fjalë për dy rrethe familjare, mes të cilëve është edhe një fëmijë 13-vjeç. Për këtë arsye Ministria e Shëndetësisë në komunikimin e sotëm, ka vënë theksi tek distancimi social edhe mes familjarëve, duke shmangur vizitat dhe kontaktet e afërta, për çdo lloj arsye për të parandaluar transmetimin e COVID-19. Sikurse është raportuar më herët, në spitalin COVID/2 "Shefqet Ndroqi" janë transportuar gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm 3 pacientë, (4 në total) 2 prej të cilëve në gjendje të rënduar (të intubuar). Ky spital do të shërbejë për trajtimin e të sëmurëve me COVID-19 që janë në gjendje të rëndë. Nga ana tjetër, te spitali Infektiv janë të shtruar 73 të shtruar, 7 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 2 nga këta janë të intubuar. Mosha mesatare të të infektuarve nuk ka pësuar ndryshme, që do të thotë vijon të jetë 50-vjeç. E ndërsa nuk ka pasur ndryshime as harta e qyteteve të prekura, vetëm është zgjeruar në Tiranë, Durrës, Fier, Kavajë, Lezhë, Mirditë dhe Shkodër me raste të reja.