17 raste të reja në 24 orë me COVID-19 në Shqipëri! 154 pacientë të shëruar/Bilanci i ri

8 Prill 2020, 11:40 | Përditesimi i fundit: 2020-04-08 15:27:27

TIRANË- Një rritje të ndjeshme të numrit të të infektuarve ka pasur gjatë 24 orëve të fundit, ku janë konfirmuar 17 raste të reja, 11 më shumë se një ditë më parë, megjithatë, është një tregues se kurba ka pësuar një zbritje. Numri total i të infektuave në Shqipëri ka shkuar në 400, ku mësohet se 58 prej tyre janë të shtruar në dy spitalet COVID në Shqipëri, specifikisht te spitali infektiv janë 52 të shtruar e ndërsa të "Shefqet Ndroqi" 6 pacientë. Që do të thotë ka pasur ulje të numrit të pacientëve që janë shtruar në spitale, e ndërsa një shifër optimiste vjen sa i përket numrit të të shëruarve. Gjatë 24 orëve të fundit, 23 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, e në total kjo shifër ka shkuar në 154. Nga 17 rastet e konfirmuara pozitiv, 9 janë në Tiranë, 1 në Elbasan, Fier 6 raste dhe Shkodër 1, fatmirësisht nuk ka shtrirje të koronavirusit në qytetet e tjera të prekura deri më tani. Deri në këto momente janë testuar 2989 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 400 raste, e ndërsa kanë humbur betejën me këtë sëmundje 22 qytetarë.Nisur nga hetimet epidemiologjike, siç bën me dije Ministria e Shëndetësisë, transmetimi i infeksionit ka ndodhur në rrethet familjare, shembulli konkret ishte Shkodra, e për pasojë drejtoresha e Institutit të shëndetet Publik, Albana Fico u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë rregullat dhe masat mbrojtëse edhe brenda rretheve të familjes.