Shkrihet dega e LSI-së në Njësinë 10, i bashkohet Partisë Socialiste, Veliaj: Mirë se erdhët, dera është e hapur për të gjithë

2 Prill 2021, 11:14

Dega e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Njësinë 10 është shkrirë, duke iu bashkuar përfundimisht Partisë Socialiste. Në një takim të zhvilluar me ish anëtarët e LSI-së, mes të cilëve edhe Taulant Kalo, ish drejtuesi i degës së LSI në këtë njësi, drejtuesi politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, u shprehu mirë se ardhjen në familjen socialiste dhe nënvizoi se dera është e hapur edhe për shumë të tjerë.

Veliaj, i shoqëruar edhe nga deputeti i PS, Fatmir Xhafaj, deklaroi se PS është një familje e madhe, që nuk diskriminon askënd.

E vlerësoj shumë këtë bashkim, më mirë vonë se kurrë, por ajo që ju premtoj është se PS-ja do të jetë një derë e hapur dhe një familje që nuk diskriminon. Në PS nuk të thotë askush kush je ti e kush jam unë sepse ne të gjithë, në një moment të jetës sonë kemi bërë eksperimentet tona. Rëndësi ka që e kuptuam se ajo që na bashkon është shumë më e rëndësishme dhe më e madhe se ato që na ndajnë. Interesi i familjes sonë të madhe është më i rëndësishëm, është më i madh se interesi i një familje të vogël, ku partinë e merr një herë burri e një herë gruaja, pastaj burri ia lë gruas, pastaj gruaja ia kthen prapë burrit. Nuk kemi kohë për të humbur! Shprehja ‘bashkimi bën fuqinë’ të vlejë edhe për Njësinë 10, ashtu siç jemi bashkuar me shokë e kolegë të tjerë”, nënvizoi Veliaj.

Ai kujtoi se javët e fundit PS-së në Tiranë i janë ribashkuar shumë figura të tjera.