Shkrimtarë dhe mësues: Letërsia artistike mungon në bibliotekat e shkollave

12 Nëntor 2019, 15:38

Çfarë hapësire zënë librat artistikë në Bibliotekat e Shkollave? Shkrimtarët edhe studiuesit mendojnë se teksa institucionet e arsimit vëmendjen kryesore e kenë tek programet mësimore, mosfunksionimi si duhet i sistemit bibliotekar në shkolla, problem ky i mbartur në tre dekada, bën që të rriten breza më pak të formuar. Shkrimtari edhe studiuesi Pandeli Koçi e cilëson domosdoshmëri, që kjo letërsi të jetë pjesë e bibliotekave në shkolla, sepse plotëson kulturën letrare të nxënësve.

“Krahas librit shkollor është e nevojshme, që letërsia artistike të ketë një vëmendje më të madhe. Kjo nuk shihet as nga Ministria e Arsimit edhe as nga institucionet e tjera, si pjesë e rëndësishme e formimit të nxënësve. Tek ne janë botuar një sërë veprash të rilindësve dhe për t’i lexuar këta libra duhet të lexohen, edhe ato që janë në tekstet e shkollës. Është një plotësim i kulturës letrare të nxënësve, duke e parë letërsinë shqipe të para viteve ’90 edhe të pas viteve ’90 të pandarë. Letërsia artistike duhet ribotuar vazhdimisht, kritika duhet të ndihmojë që të gjendet maja e letërsisë artistike, që ka vlera estetike edhe pozitive”, shprehet Koçi.