Shkrimtari Moikom Zeqo sjell për lexuesin librin “Shitja e Hënës” parabola shekujsh

16 Dhjetor 2018, 17:29

Dennis Hope është amerikani që merret me biznesin e shitjes së tokave në Hënë. Ai ka krijuar shoqërinë “Ambasada e Hënës” regjistruar në zyrën tregtare të Nevadës.

Është një sipërmarrës aspak surrealist, që deri më tani ka arritur të shesë 3 mln euro pasuri hënore, (afro 80 territore), duke u dhënë blerësve certifikatë zyrtare të pronësisë së tyre.

Ky lajm i paradisaviteve do të bëhej shkas që shkrimtari Moikom Zeqo të sjellë për lexuesin librin me titull “Shitja e Hënës”, parabola shekujsh.

Për “Report Tv” profesor Zeqo shpjegon rëndësinë e këtij libri, ku dita-ditës shitblerja zë vend kryesor, në varfërimin e shpirtrave njerëzor

“Ky është një libër me tregime dhe parabola. Kam synuar një formë të shkurtër të narratives që është më simbolike, më shumë kuptimore edhe më semantike, siç është parabola. Tematikat në këtë libër janë të ndryshme, që nga ato antike, ka mesjetën dhe kohërat moderne. Titulli ka të bëjë me kohërat moderne. Me një agjenci, e cila nuk është shpikja ime, por është përtej imagjinatës, e cila është konfirmuar në botë. U jam referuar lajmeve të shtypit. Një agjenci, e cila tenton që të bëjë shitjen e territoreve ende të papopulluara me njerëz të hënës. Unë e kam konceptualizuar këtë lajm, për të treguar se në një botë ku simboli kryesor është shitblerja, tregtia arrihet deri në absurditete të tilla, sa mund të shiten edhe territoret e shkretëtirëta pa jetë, pa  ajër të hënës. Në një parabolë të tillë, inextremis është gati-gati në kufi të absurdit ku mund të kuptohet diçka nga realiteti i botës së sotme. Njerëzit revoltohen ndaj këtij realiteti, ku çdo gjë që konsiderohet shitblerje, ku të gjitha marrëdhëniet njerëzore shndërrohen në marrëdhënie monetare”.