'Shkuan për djalin dhe u bllokuan në Siri'/ Report Tv sjell historinë e familjes nga Dragostinje e Librazhdit

27 Tetor 2020, 17:40

LIBRAZHD- Tahir Balliu ka plot 6 vite që kërkon vëllanë, Aliun dhe kunatën Ruzhdien, që kanë mbetur të izoluar në kampet siriane. Ata nuk shkuan për të luftuar për Shtetin Islamik, por t'iu gjendur pranë të birit.

"Historia ka 6 vjet e ca, kur nipi im u nis për studime në Arabinë Saudite. Pas kësaj marrim vesh se nipi kishte shkuar në Siri. E kemi marrë vesh pas 5-6 muajsh. Vëllai im mësoi se i biri ishte plagosur atje dhe bashkë me gruan u nisën për atje. Arritën dhe takuan djalin në spital, por pati fatin e keq që vdiq nga plagët", tha Balliu.

Report Tv udhëtoi drejt fshati Dragostinje, në parkun natyror të Sherbenikut në Librazhd  për të takuar 63 vjecarin.  Ai na tregon se me kunatën flasin shpesh në telefon ndërsa me të vëllanë, Aliun ka shumë kohë pa komunikuar.

"Ata (vëllai me kunatën) qëndruan atje se s'kishin mundësi të ktheheshim. Ne kemi fol shpesh me ta, por ka mbi 1.5 vite që përfundoi lufta që ata ndodhen në dy kampe të ndryshme. Me kunatën flasim me mesazhe ndërsa me vëllanë s'kemi fol sepse është në kamp tjetër. Para dy tre muajsh që ka çuar një letër gruas që jam në filan kamp, por ne s'dimë asgjë për të. Edhe kunata ka dalë në TV duke kërkuar që ta kthejnë. Ne kërkojmë që të kthehen vëllai me kunatën, se kanë 4 fëmijë këtu në Shqipëri", tha ai.

Tahir Balliu na rrëfen përpjekjet e vazhdueshme që ka bërë me autoritetet shqiptare si dhe komunikimin e fundit me kunatën nga kampi Al Hol.