Shoqata e bashkive kritika buxhetit: Qeveria të shlyejë borxhet e mbledhura!

21 Nëntor 2019, 17:23

Shoqata e Bashkive të Shqipërisë ka reaguar për herë të parë për buxhetin 2020, ku është shprehur kundër nivelit të ofertës së pakushtëzuar në buxhet për vitin e ardhshëm për pushtetin vendor, që është në nivelin e 2.7%. Sipas shoqatës ky nivel ka ardhur gjithnjë në ulje, pasi nga 9% në vitin 2017, 4% krahasuar me 2018 dhe tani me 2.7% krahasuar me 2019.  Totali i ofertës së pakushtëzuar për 2020 është parashikuar në nivelin e 550 milionë lekë. Sipas reagimit të tyre zyrtar bashkitë kanë marrë fonde për paga punonjësish po nuk kanë fonde as për shpenzime operative as për investime për funksionet përkatëse.

Transferta e pakushtëzuar është një fond i caktuar që i jepet pushtetit vendor nga Buxheti me qëllim kryerjen dhe përballimin e funksioneve dhe veprimtarive të tij.

Ndër të tjera shoqata e bashkive kërkon që qeveria qendrore të marrë përsipër shlyerjen e borxhit të akumuluar duke i lehtësuar bashkitë, veçanërisht në kushte të transfertës së pakushtëzuar në nivele të ulëta.

Ndërkohë nga ana tjetër Ministria e Financave ka paralajmëruar bashkitë që të shlyejnë detyrime e tyre dhe të mirë administrojnë të ardhurat, pasi në të kundërt do të përcaktohet një administrator që do të menaxhojë buxhetin e bashkive.

Një tjetër shqetësim i ngritur është edhe ndarja e tatimit mbi të ardhurat personale mes qeverisë dhe bashkive nuk është kryer as për 2018 e as për 2019.  Shoqata e Bashkive citon ligjin e financave vendore, ku sipas tyre 2% e të ardhurave duhet transferohen te njësitë e vetëqeverisjes vendore.