TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një takim me përfaqësues të Shoqatës së Diabetikëve ka diskutuar problematikat e kësaj kategorie në përballje me pandeminë, ku ka vijuar me thirrjet ndaj qeverisë për shtim të kapaciteteve spitalore dhe shtim të numrit të testeve, si dhe rimbursimin e barnave.
‘Edi Rama e ka humbur kontrollin mbi pandeminë. Asnjë plan, asnjë masë reale. Braktisja e plotë e mbi 75 mijë diabetikëve, ndër më të rrezikuarit nga COVID-19, është dëshmi tjetër e daljes së situatës nga kontrolli. Përfaqësuesit e Shoqatës së Diabetikëve konfirmuan shqetësimet e thella që kemi ngritur prej javësh. Sistemi shëndetësor është në kolaps. Spitalet janë jashtë funksionit. Nëse Rama do të zbatonte planin tonë me 5 pika, nuk do të ishim sot këtu. Edhe sa familje shqiptare duhet të humbin të dashurit e tyre, që kryeministri të bëjë detyrën’, shkruan Basha në Facebook pas takimit.
Në fjalën e tij një prej të sëmurëve me diabet tha se është i frikësuar dhe se në këtë muaj të ndërgjegjësimit dhe kontrollit për diabetin nuk është bërë asgjë.
'Fakt është që personat me diabet, duke qenë edhe një nga grupet e rrezikuar më tepër, pavarësisht se më tepër janë trembur sesa e kanë përjetuar vërtet këtë pjesën e kësaj.
Muaji nëntor për ne ka rëndësi të bëjmë edhe fushata depistimi dhe ndërgjegjësimi, të paktën të marrësh vesh, je i dyshimtë apo nuk ke diabet. Dhe pikërisht të gjitha këto gjëra që ne bëjmë, domethënë bëhen pa asnjë ndihmesë nga buxheti i shtetit dhe pa asnjë kosto për personat me diabet pra të gjitha ato që ne përpiqemi ti ofrojmë janë pa kosto për personin. Për sa i përket paketave të ndihmës domethënë gjithë shoqatat jofitimprurëse nuk kanë përfituar asnjë gjë, në këtë drejtim', tha një prej qytetarëve.
Një prej anëtarëve të Shoqatës së Diabetikëve tha gjatë takimit me Bashën se kanë vështirësi në përballimin e kostos së kësaj sëmundje.
